Kristiano, duket se e përfundove përshtatjen tek Juvja

Nuk iu desh shumë kohë për të qenë “në elementët e tij” në Serinë A. Kriza e golit në fillim ishte e rëndë, por me t’u “thyer akulli”, gjithçka po shkon shumë mirë. Kristiano Ronaldo duket se është plotësisht i përshtatur me futbollin italian, dhe këtë e tregoi me dy golat në fitoren në fushën e Empolit.

E vërtetë, që Juventusi luajti ndaj skuadrës më të dobët të sezonit, deri tani në Serinë A, por kjo nuk ia ul shumë meritat portugezit, që barazoi rezultatin në pjesën e dytë me penallti, dhe pastaj shënoi golin e fitores me gjuajtje nga largësia. Tashmë, CR7-ta ka 7 gola në 10 ndeshje në kampionatin italian, duke iu afruar gjithnjë e më shumë standardit të tij, edhe pse në Champions, në dy ndeshje nuk ka realizuar dot asnjë gol.

“E dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë, – tha ai më pas, – ndoshta ishim pak të lodhur, pasi të luash pas Championsit është shumë e zorshme. Gjithsesi, dhamë një përgjigje siç duhet. Për fat luaj në një skuadër të madhe”.

Sfidanti.al