CSKA, Barcelona, Zhalgiris, kthehet treshja e madhe në Euroligë

CSKA e Moskës, Barcelona dhe Zhalgiris i Kaunasit kanë qenë skuadra të mëdha në historinë e Kupës së Kampionëve në basketbollin europian. Rusët, katalanasit dhe lituanezët kanë rivalizuar për tituj dhe kanë fituar mjaft të tillë, ndërsa treguan se do të jenë të fortë këtë edicion.

CSKA-ja fitoi në mënyrë autoritare në Spanjë, ndaj Gran Kanarias, me shifrat 106-91. Nando De Kolo mbetet numri 1 i moskovitëve, me francezin që shënoi 22 pikë, dha 6 asistë dhe vodhi 4 topa. Diçka shumë e rëndësishme në vetëm 27 minuta lojë. Amerikanët Higins, Klajbërn dhe Hanter dhanë gjithashtu kontribut, ashtu si spanjolli Sergio Rodrigez.

Barcelona nuk pritej të ishte aq e fortë, pas një sezoni të kaluar vërtet të turpshëm. Largimi i legjendës Huan Karlos Navarro nuk shkaktoi krizë, ndërsa ekipi i trajnerit Svetislav Peshiç triumfoi në Turqi, ndaj Darushafakasë, 79-71. Amerikani Singëllton dhe kapiteni Tomiç ishin më të mirët.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, Zhalgirisi i Kaunasit. Ish-ekipi i të madhit Sabonis, për të dytin sezon me radhë po tregohet tepër i fortë. Ishte arritje e madhe fitorja në Athinë ndaj Panathinaikosit, në Pallatin e Sportit “Paqja dhe Miqësia”. Lituanezët dominuan tabelat dhe fituan 87-83, veçse duket se faktori kryesor në sukses është prania në ekip e amerikanëve Dejvis, Uollters, Uolkap, Uajt dhe Ualton.

Sfidanti.al