Kostumi i krekosjes që mbeti në dollap

Asnjëherë nuk është bukur kur skuadra e pompuar si surpriza e kontinentit, mundet 3-0 në një miqësore ku për më tepër zhgënjeu në çdo drejtim. Mbrojtja e reklamuar si një nga më të mirat e eleminatoreve, ishte thjesht një repart pa busull, mesfusha e emrave të mëdhenj, një zhgënjim edhe më më i madh, ndërsa sulmi i të madhit Broja apo Manaj, totalisht për t’u harruar. Kili praktik, cinik dhe shumë më ekspert zbërtheu në 90 minuta një skuadër që pretendonte se në eleminatore ishte bërë e fortë në sytë e botës.

Magjitë e Asanit për fat të keq nuk e shtynë kryesinë e FSHF-së të krekosej përpara kamerave, ndërsa kostumi i bërë gati për të dalë përpara tyre për të shitur si arritje një rezultat të mundshëm pozitiv, për fat të keq ngeli në dollap. Ajo që mbajmë mbi shpinë tashmë është vetëm njolla e turpit që la miqësorja me Kilin, e cila shpresojmë të na bëjë më të përulur dhe të vetëdijshëm për forcën dhe limitet e kësaj skuadre. Me shpresën që Suedia të mos na japë leksionin e radhës (që më pas mund të përkthehet edhe si një ndeshje nga e cila mund të mësojmë), le të shikojmë nga e ardhmja pa shumë premtime dhe me fokusin për të evituar të tjera goditje të rënda si ajo e Parmës.

Nga Pirro Bardhyli