Konte: Duhet të jemi të kënaqur, e vështirë të luash ndaj Liverpulit

Italiani ende nuk ka mundur të arrijë atë që ka dashur, edhe pse e ka ditur gjithnjë se do të kishte qenë tepër e vështirë. Antonio Konte e mori Totenhemin në një moment shumë të keq, kur ishte shumë poshtë në renditje dhe i shkëputur nga 4 vendet e para, ndërsa tani po lufton “dhëmb për dhëmb” për të siguruar kualifikimin në Champions. Edhe kjo është një arritje më vete, një nga ato suksese për të cilat “do të ngrihen këngë”. Ekipi i Kontes ishte shumë pranë një fitoreje legjendare ndaj Liverpulit në “Anfild”, por nuk ia doli dot. “Duhet të jemi të kënaqur, – thotë Konte, – nuk është e lehtë të luash ndaj Liverpulit në këtë moment, sidomos në këtë atmosferë. Ishte e vështirë për lojtarët e mi të luanin mirë në këtë zhurmë, por ne luajtëm mirë dhe u krijuam probleme kundërshtarëve. Ne kishim shanse. Jemi të zhgënjyer, por është e pabesueshme energjia që pati Liverpuli, ndërsa luan çdo tre ditë”.

Sfidanti.al