Jo vetëm ai, kuptohet, por duke qenë ylli më i famshëm i skuadrës, emri i tij përmendet i pari. Kristiano Ronaldo do të humbasë çerekun e rrogës për sezonin e ardhshëm, gjithnjë nëse pranon të qendrojë tek Mançester Junajtidit, pasi u bë e qartë se “djajtë e kuq” nuk do të jenë në Champions sezonin e ardhshëm. Humbja në fushën e Brajtonit ishte një katastrofë, me shifrat 0-4 për të zotët e shtëpisë që janë në pozicionin e respektueshëm në Premier Ligë, në vendin e 9-të me 47 pikë, vetëm 11 pikë më poshtë sesa Junajtidi.
Kritikat ishin të tmerrshme për Ronaldon, Pogbanë, Bruno Fernandesin, Megajerin, Matën apo trajnerin Rangnik, por tashmë nuk ka dobi. Kristiano e nisi sezonin me 385 000 paundë stërlina në javë, dhe tani do të zbresë në 288 000, pra duke humbur gati 100 000 paundë stërlina. Ai bëri një sakrificë verën e kaluar duke pranuar uljen e rrogës nga 500 000 paundë stërlina në javë që fitonte tek Juventusi, dhe që përkthehen në gati 31 milionë euro në sezon. Man. Junajtidi ka 58 pikë në 37 ndeshje, pra do të luajë edhe një sfidë të mbetur në Premier Ligë, kurse vendi i katërt mbahet nga Arsenali me 63 pikë, 5 mbi ekipin e CR7-ës.
Sfidanti.al