Konte: Dua titullin me Totenhemin, por është më e vështirë sesa në Itali!

Kur ishte tek Interi nuk mund të mendonte për këto krahasime, dhe as nuk do t’ia pranonin. Antonio Konte i bëri sukseset e tij në Serinë A, me Juventusin fillimisht e pastaj me zikaltërit, ndërsa tani ka përpara vetes një detyrë shumë më të vështirë. A mundet që të fitohet titulli në Premier Ligë me Totenhemin? Vetë italiani ia ka dalë si trajner i Çelsit, por është krejt ndryshe tek Spërsat. Jo më kot, Blutë e Londrës kanë fituar disa tituj, 3 me Murinjon dhe 1 me Ançelotin përpara atij të Kontes, ndërsa Totenhemi e ka të fundit në 1961, pra më shumë se 60 vjet më parë. “Dua që të fitoj titullin, – thotë Konte pa mëdyshje, – unë luftoj gjithnjë për këtë. Ne jemi forcuar, por janë forcuar edhe rivalët. Siti, Liverpuli, Junajtidi, Çelsi, Arsenali. Këtu është më e vështirë sesa në Itali”.

Sfidanti.al