Kombëtarja pret të plotësohet me “italianët” e “spanjollët”, i fundit vjen Asllani!

Radhët do të shtohen duke nisur nga sot. Në kombëtarja shqiptare e nisi zyrtarisht këtë të hënë grumbullimin për ndeshjet eliminatore në Euro 2024, trajneri Silvinjo pret që të ketë ekip më të plotë. Këtë të martë dhe të mërkurën pritet të mbërrijnë lojtarët që ishin në ndeshjet e fundit të Serisë A, dhe flitet për Nedim Bajramin, Elseid Hysajn, Ardian Ismajlin dhe Berat Gjimshitin. Këta morën vetëm pak kohë më shumë pushim sesa të tjerët që i kishin mbyllur sfidat më parë, ashtu siç bënë edhe Keidi Bare dhe Ivan Balliu që luajtën në fundjavë në La Ligën spanjolle. Në stërvitjen e parë, pikërisht në ditën e parë të javës, Silvinjo pati në dispozicion 15 futbollistë, ndër të cilët ishin të katërt portierët, si dhe Adrian Bajrami, Mihaj, Veseli, Laçi, Abrashi, Ramadani, Muçi, Hadroj, Uzuni, Sadiku dhe Anis Mehmeti.

Pikërisht Mehmeti ishte i pari që mbërriti në Shtëpinë e Futbollit pasi mbylli sezonin në Angli. Lista do të plotësohet vetëm në 11 qershor kur Kristjan Asllani pritet të bashkohet me ekipin pasi të jetë në finalen e Championsit në 10 qershor në Stamboll mes Interit e Mançester Sitit. Kuqezinjtë kanë disa të dëmtuar si Kumbullën, Gjasulën e Brojën, ndërsa Manaj është pa ekip. Shqipëria pret në 17 qershor Moldavinë në “Arenën Air Albania”, ndërsa në 20 luan në fushën e Ishujve Faroe për Euro 2024.

Sfidanti.al