Kombëtarja “gjysmagjel”, Reja e ka një formacion të mundshëm ndaj Izraelit!

Ajo të cilës ia kishim frikën u konfirmua. Myrto Uzuni nuk do të jetë gati për ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, atë ndaj Izraelit këtë të shtunë në fushë kundërshtare. Sulmuesi më në formë kuqezi i momentit, autor i gjashtë golave me Granadën në ligën e dytë në Spanjë, mbetet jashtë sfidës së 24 shtatorit për shkak dëmtimi. Shpresa është që beratasi të kthehet të paktën në ndeshjen e dytë, atë ndaj Islandës në “Arenën Air Albania” në 27 shtator. Trajneri Edi Reja duket se do të ketë probleme të mëdha për të krijuar një formacion të fortë për duelin e parë, pasi mungesat janë të shumta. Jashtë ekip për arsye dëmtimi janë mbrojtësit Kumbulla, Gjimshiti e Dermaku, mesfushorët e rëndësishëm Bare dhe Çekiçi, si dhe sulmuesit Manaj e Uzuni.

Pritet që Reja të kthejë në mbrojtje Klaus Gjasulën, që do të thotë dobësim i mëtejshëm i mesfushës, por nuk ka zgjidhje tjetër. Kombëtarja pritet ta ketë të vështirë në Izrael me dy reparte kaq të rëndësishëm që kanë mungesa. Në mesfushë, trajneri italian do të vazhdojë të jetë konservator duke mos aktivizuar Kristjan Asllanin, edhe sepse 20-vjeçari nuk po luan tek Interi. Ndërkaq, sulmi mbetet i fortë pavarësisht mungesave, dhe titullarë besohet se do të jenë Armando Broja dhe Sokol Cikalleshi.

Formacioni i mundshëm (3-5-2): Strakosha, Ismajli, Gjasula, Veseli, Balliu, Asllani (Ramadani), Abrashi, Hysaj, Bajrami, Broja, Cikalleshi.

Sfidanti.al