Nga Vlora, Kukësi e Tetova, Ernest Gjoka kërkon trofetë në Arabinë Saudite!

Me trofetë është mësuar dhe dëshiron t’i fitojë përsëri. Ernest Gjoka është një emër i njohur në futbollin shqiptar, ndërsa sërish ka vendosur që titujt t’i kërkojë jashtë vendit. Pas disa sukseseve të rëndësishme në karrierë, trajneri 52-vjeçar gjeti akordin në Arabinë Saudite me klubin Ohod të Medinës. Gjoka, që punoi në Shqipëri me Flamurtarin, Vllazninë apo Kukësin, dhe në Maqedoninë e Veriut me Shkëndinë e Tetovës do të ketë përvojën e parë mjaft larg vendit tonë, në Lindjen e Mesme. Tekniku tiranas ka arritur të fitojë Kupën e Shqipërisë në 2014 me Flamurtarin, ndërsa në 2017 arriti suksesin e madh duke u shpallur kampion i vendit në stolin e Kukësit.

Përfaqësimi në Europë ishte shumë i mirë, duke u eliminuar pa të drejtë dhe pa fat nga ekipi i fortë i Moldavisë, Sherifi i Tiraspolit. Më pas, Gjoka arriti një kulm tjetër të karrierës duke fituar titullin në Maqedonë e Veriut me Shkëndinë e Tetovës vitin e kaluar, në 2021. Ohod Medina është në vendin e 13-të të kampionatit saudit me 18 skuadra, duke pasur 5 pikë pas 5 javëve të para. Trajneri Halil Al Masri u shkarkua pas humbjes 0-3 në ndeshjen e fundit në fushën e Al Ahlit, ndërsa Gjoka do të ketë detyrën ta ngrejë skuadrën në nivelet e larta, ndërsa Ohod Medina ka histori sepse ka fituar 3 herë titullin kampion, për herë të fundit në 2004, dhe ka dalë 5 herë nënkampion.

Sfidanti.al