Shiriti i kapitenit të Levandovskit përfaqëson Ukrainën në Kupën e Botës!

Në turneun e madh nuk mundi të kualifikohej, por nuk është se do të mungojë. Ukrana u eliminua në plej ofin e Kupës së Botës dhe nuk do të jetë në Katar, por gjithsesi do të përfaqësohet në një mënyrë të veçantë. Flamuri i vendit të sulmuar nga Rusia do të mbahet nga fqinji i tij, Polonia, e cila është në fazën finale. Kapiteni i Polonisë, Robert Levandovski, do të ketë shiritin pikërisht me ngjyrat e flamurit ukrainas, në shenjë mbështetjeje dhe përkrahjeje. Shiriti me ngjyrat blu dhe të verdhë iu dorëzua Levandovskit nga legjenda e futbollit ukrainas, Andrij Shevçenko, i cili udhëtoi drejt Polonisë për këtë qëllim. Të dy njerëzit e sportit biseduan me njëri-tjetrin në fushën e stadiumit të Varshavës, ku u zhvillua ceremonia e thjeshtë, por mjaft kuptimplotë.

“Levandovski nuk është vetëm një lojtar i madh futbolli, – u shpreh Shevçenko, – por, ai është edhe një njeri i shkëlqyer. Ai është një mik i madh i Ukrainës. Roberti po e ndihmon Ukrainën edhe në fushën e lojës. Nuk është vetëm një njeri i sportit, ai po e mbështet Ukrainën, ashtu si edhe Federata Polake të cilën unë dua ta falenderoj”. Polonia u kualifikua në Kupën e Botës, ndërsa ishte në grupin eliminator bashkë me Shqipërinë, duke zënë vendin e dytë pas Anglisë, e duke ia dalë nëpërmjet plej ofit, diçka që Ukraina nuk arriti ta bënte.

Sfidanti.al