“Djali i shtëpisë” Mesi deshi dhjetëra milionë tek Barcelona, pavarësisht borxheve!

Se çfarë përfaqëson ky emër, nuk ka nevojë për prezantim. Lionel Mesi është gjëja më e bukur që ka rastisur në futboll të paktën që nga koha e Diego Armando Maradonës apo e Pelesë, apo ndoshta më e bukura e të gjitha epokave, e megjithatë edhe për një jashtëklas të tillë kërkesat e tepruara bëjnë përshtypje. E tillë është jehona e momentit, ndërsa në Spanjë zbulojnë se cilat ishin kushtet që legjenda argjentinase vendosi në 2020 për të rinovuar me Barcelonën. Mediat raportojnë se i mbiquajturi “Pleshti” kërkoi një rrogë prej mbi 85 milionë eurosh në sezon, plus 10 milionë euro vetëm për nënshkrimin.

Pavarësisht se në atë kohë klubi i presidentit Bartomeu ishte në krizë të thellë financiare, sërish Mesi nuk e pati problem të kërkonte edhe avion privat për Krishtlindje, klauzolë të vogël transferimi krejt ndryshe nga sa është tradita në Spanjë, si dhe lozha private luksoze në stadiumin “Kamp Nou” për familjen e tij dhe të shokut të ngushtë, Luis Suarez. Pavarësisht nga vullneti i presidentit Bartomeu, akordi nuk u arrit dhe kontrata e fundit e nënshkruar nga numri 10 në Katalonjë mbeti ajo e vitit 2017. Në 2021, ai u largua përfundimisht për tek Paris SG, ndërsa La Liga spanjolle nuk lejoi që ai të firmoste sërish për shkak të shkeljes së kufijve të lejuar financiarë për Barcelonën. Prej më shumë se një viti, Mesi po luan me PSG-në dhe këtë sezon duket se ka arritur në formën e tij të zakonshme, aq sa pretendon të fitojë Championsin me ekipin francez.

Sfidanti.al