Do të luhet në “Renco Barbera” të Palermos ndeshja e 24 marsit mes Italisë dhe Shqipërisë për Kupën e Botës. Federata Italiane mori vendim përfundimisht për impiantin ishullor, ndërsa të kaltrit synojnë të marrin një tjetër fitore për të luftuar për vendin e parë në grup me Spanjën. Italia nuk i luan në një stadium të vetëm ndeshjet e saj, ndryshe nga Anglia apo Franca, dhe këtë herë kënaqësinë për të parë kombëtaren, do ta kenë palermitarën dhe siçilianë të tjerë, ndonëse biletat do të shiten onlajn dhe do të mund të blihen kudo.
Shqipëria ka 6 pikë, ndaj 10 të Italisë, dhe e quan këtë ndeshje si tepër të rëndësishme për të ngritur të paktën kokën, nëse merr një barazim. Italianët janë stërfavoritë, ndërsa besohet se kombëtarja e De Biazit mund të ndihmohet nga prania shumë e madhe e tifozëve shqiptarë. Gjithsesi, zbritja e përballjes shumë në jug do të jetë një lloj pengese për shumë shqiptarë me banim në Francë, Zvicër apo Gjermani. Në ndeshjen miqësore luajtur në Gjenovë, prania e tifozëve kuqezinj ishte tepër e madhe.