Kriza e Tomas Mylerit, ç’po ndodh me bavarezin e Bajernit?

Nëse do t’i thoje dikujt të vërtetën, që Tomas Myler ende nuk ka shënuar asnjë gol në Bundesligën gjermane, ai do të mendonte se po e gënjeje. Në të kundërt, ky është fakti. Sulmuesi, një herë e një kohë i frikshëm i Bajernit, nuk po jep as minimumin e kontributit për kampionët e Gjermanisë dhe pikëpyetjet e ngritura janë të shumta. Çfarë po ndodh me Mylerin? Përse lojtari i formuar në akademinë e Bajernit nuk po arrin të shprehet?
Disa ia venë fajin trajnerit të Bajernit, Karlo Ançeloti. Përse? Sepse italiani e ka kaluar Tomasin në krahun e djathtë, krejt ndryshe nga roli që luante me Guardiolën, në qendër të sulmit. Kjo ka bërë që në 17 ndeshje të këtij sezoni, ai të shënojë gjithsej 3 herë, por asnjë në Bundesligë, dhe kapiteni Lahm thotë se “ne në stërvitje gjithnjë bëjmë shaka sesi ka mundësi që unë kam shënuar më shumë sesa Myleri”. Lahm është mbrojtës i djathtë.
Vitin e kaluar, Tomasi realizoi 32 gola në 47 ndeshje, ndërsa këtë sezon është në krizë, diçka që vazhdon që prej Euro 2016-ës kur nuk realizoi asnjë. Presidenti i Bajernit, Karl Hajnc Rumenige thotë se problemet e Mylerit nisën në gjysmëfinalen e vjetshme në Champions, kur humbi penallti ndaj Atletikos, por për tifozët kjo nuk ka rëndësi. Ata duan golat, ndërsa Bajerni duket në krizë jo vetëm me Mylerin, por edhe si skuadër.