Një fitore 4-1 në Bundesligë, aq më tepër jashtë fushe, nuk është diçka për t’u nënvleftësuar. Rasenball Lajpcigu, shkurt RB Lajpcig, e bëri këtë në stadiumin e Frajburgut, ndaj një skuadre aspak të dobët, dhe për momentin u shkëput në 6 pikë diferencë me Bajernin e Mynihut. Skuadra ende e pathyer në kampionat, tregoi epërsinë dhe moralin e lartë, ndërsa Frajburgu dhe lojtari i kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, nuk gjetën dot përgjigje për të. E vetmja gjë që mundën të bënin vendasit ishte të barazonin golin e shpejtë të Keitas, me anë të Niderlehnerit, por rrjetat kundërshtare erdhën radhazi. Timo Verner shënoi dy herë pa vonesë në pjesën e parë, ndërsa Zabicer vulosi rezultatin në të dytin, dhe tani Lajpcigu ka 30 pikë ndaj 24 të Bajernit, me 27 gola të realizuar ndaj 24 të bavarezëve. Skuadra e Karlo Ançelotit tani nuk duhet të gabojë në përballjen në “Alianc Arena” ndaj Leverkusenit nëse nuk dëshiron të humbasë më shumë terren ndaj kryesuesve.