Etrit Berisha mund të mos jetë në portë për Atalantën ndaj Bolonjës këtë fundjavë në Serinë A. Portieri i kombëtares shqiptare, i vlerësuar si më i miri në kampionatin italian deri tani në këtë sezon, ka pësuar një dëmtim në gju dhe pritet që të lihet pushim. Në vend të tij, titullar duhet të jetë Sportielo, njeriu të cilit Berisha i zuri vendin. Një fatkeqësi e vërtetë për numrin 1 kuqezi pasi ishte në formë të shkëlqyer dhe Atalanta, po ashtu, ishte duke zhvilluar një edicion të mrekullueshëm.
Berisha po stërvitet veçmas prej 2 seancash, por mbetet edhe një shpresë sado e vogël që ai të bëhet gati për ndeshjen me bolonjezët. Gjithsesi, edhe nëse nuk ia del, Etriti do të ishte i sigurt për trajnerin Gasperini në mesjavë kur do të luhet ndeshja e Kupës së Italisë ndaj Peskarës, si dhe fundjavën e ardhshme në Serinë A, për sfidën e madhe kundër kampiones Juventus.