Roma do të luajë me një fanelë të re në derbin e javës së ardhshme ndaj Lacios, në 4 dhjetor në Serinë A. Klubi kryeqytetas ia ka ngarkuar Françesko Totit (e kujt tjetër mundej?) t’u tregonte tifozëve sesi do të jetë bluza dhe në tërësi uniforma e verdhekuqve. Kapiteni e bëri këtë në një video realizuar në stadiumin “Olimpik”, ku luajnë të dyja skuadrat romane. Mënyra e modelimit të bluzës është e veçantë, me stemën në ngjyrë të artë ku spikasin shkronjat SPQR, që janë në latinisht. “Senatus Populusque Romanus” që përkthehet “Senati dhe populli roman”, një shprehje që ka simbolizuar Romën për gati 2000 vjet.
Një provokim nëse mund ta themi kështu, pasi në këtë mënyrë Roma deklaron hapur se është ajo që përfaqëson trashëgiminë e dikurshme, ndërsa Lacio nuk do të ishte në asnjë mënyrë dakord. Uniforma është prodhuar nga kompania gjigande amerikane, Najk, ndërsa e veçanta tjetër është se fanela është krijuar me poliestër të ricikluar, të marrë nga shishet plastike. Gjashtëmbëdhjetë shishe janë përdorur për një fanelë.