Tashmë operacioni është i pashmangshëm, por bëhet fjalë për një problem të vogël për Etrit Berishën. Portieri i kombëtares shqiptare nuk i shpëtoi dot ndërhyrjes kirurgjikale në gju, e cila u shty vetëm për shkak të komplikacioneve shtesë që ai pati (enjtje). Tashmë, konfirmohet se numri 1 i Atalantës do të qendrojë deri në 25 ditë jashtë fushave, pra do të kthehet i gatshëm vetëm në janar. Shqetësim për të nuk është sigurimi i formacionit, pasi trajneri Gasperini e vlerëson si të padiskutueshëm në portë.
Berisha shpreson që Atalanta të bindet që t’i paguajë Lacios 6 deri në 7 milionë euro për kartonin e tij, siç edhe besohet se do të jetë e detyrushme, pasi klubi kryeqytetas nuk do të pranojë për më pak. Nëse drejtuesit nga Bergamo bien dakord, gjithçka do të jetë në rregull, në të kundërt, Etriti do të duhet të kthehet tek Lacio, ku jo vetëm është Marketi si titullar, por ku po investohet fort për portierin e dytë, që nuk është tjetër përveçse shoku i Berishës në kombëtare, Thoma Strakosha.