Dëmtimi i Ismajlit dhe pozicioni i Hysajt, dilemat e para të Rejës për Hungarinë!

Më në fund ekipi doli në fushë. Jo për të luajtur një ndeshje, pasi ndaj Hungarisë do të jemi përballë të shtunën, veçse derisa të vijë ajo ditë, duhet përgatitje sa më serioze. Trajneri Reja i ka në dispozicion që nga dita e djeshme që të gjithë futbollistët e thirrur për eleminatoret e Botërorit, me grupin të plotësuar të hënën, ndërsa nuk është se jemi pa probleme. Dyshimi kryesor është për mbrojtësin e qendrës, Ardian Ismajli, i cili ka një dëmtim dhe ekipi i tij, Empoli i Serisë A, nuk deshi që ta lejonte, por u detyrua pas këmbënguljes së Rejës.

Trajneri kuqezi do të shohë gjendjen e tij e pastaj do të vendosë, me alternativa Dermakun e Mihajn. Për Hysajn mund të ketë ndryshim krahu, në të majtën, pasi gjasat janë që në të djathtë të aktivizohet Ivan Balliu, në formë shumë të mirë në La Liga të Spanjës me Vajekanon. Mesfusha do të ketë dy mungesat e mëdha, Abrashin e Laçin, por Reja siç tha në konferencë është i qetë sepse mendon se ka lojtarë të tjerë. Përsa i përket sulmit, Sokol Cikalleshi duket favorit për të qenë titullar, ndërsa pas tij mund të jenë Bajrami e Uzuni. Gjithsesi, Reja do të shohë gjendjen fizike të lojtarëve përpara se të vendosë, me Shqipërinë që luan në 9 tetor në Budapest ndaj Hungarisë, dhe në 12 tetor pret Poloninë në “Arenën Air Albania”.

Sfidanti.al