Migjen Basha, “var këpucët” një nga heronjtë e Shqipërisë në Euro 2016!

Në histori ka hyrë si pjesëtar i brezit të madh të 2016-ës. Migjen Basha ishte futbollist-bazë i kombëtares shqiptare në suksesin më të madh të historisë së saj, në arritjen e fazës finale të Europianit në Francë 5 vjet më parë, ndërsa sot ka vendosur t’i japë fund karrierës. Në moshën 34-vjeçare, mesfushori lajmëroi në rrjetet sociale se kishte marrë vendimin duke e cilësuar si kohën e duhur për t’u tërhequr, e për t’u marrë me të tjera gjëra. Migjen Basha luajti 29 ndeshje për ekipin përfaqësues në vitet 2013-2017, nën drejtimin e ish-trajnerit Xhani De Biazi, dhe gjatë kësaj periudhe shënoi 3 gola.

Një lojtar me aftësi teknike dhe vizion për lojën, ai u bë i rëndësishëm për skemat e De Biazit. Lindur në Lozanë të Zvicrës, ai e nisi karrierën me Lozanën, por më pas ishte në Itali për ekipe të ndryshëm si Lukeze, Viarexho, Rimini, Frozinone apo Atalanta. Kulmin e arriti me Torinon, duke luajtur për 4 vjet, nga të cilët 3 sezone në Serinë A, e duke shënuar 2 gola në elitën e futbollit italian. Më pas nuk pati shumë sukses, duke provuar Barin apo Arisin e Selanikut, ndërsa së fundmi nuk mundi të gjente skuadër.

Sfidanti.al