Kombëtarja, mungon Uzuni

Kombëtarja shqiptare është rikthyer në shtëpi nga transferta e Gjibraltarit mbrëmjen e të premtes dhe këtë të shtunë ka zhvilluar stërvitjen e radhës në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Letonisë.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Silvinjo realizoi ushtrime fizike dhe skema teknike me seancën stërvitore që zgjati për më shumë se 1 orë mes palestrës dhe fushës. Grupi ishte i plotë, përveç Myrto Uzunit, i cili u stërvit i diferencuar, për shkak të një problemi në kofshë, që po mbahet nën monitorimin e stafit mjekësor e që sipas analizave paraprake nuk është serioze.

Ditën e diel skuadra do të stërvitet sërish në Shtëpinë e Futbollit në orën 17:00 me 15 minutat e para që do të jenë të hapura për medien.

Më datë 9 shtator kombëtarja do të presë Letoninë në sfidën e kualifikueseve të Botërorit 2026, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” dhe nis në ora 20:45.

sfidanti.al