Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë faqe të arta në historinë e futbollit botëror. Në fitoren e thellë 0-5 të Portugalisë ndaj Armenisë, kapiteni i “luzitanëve” shënoi dy gola, duke e çuar në 140 numrin total të realizimeve me fanellën e kombëtares. Ai mbetet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në arenën ndërkombëtare.
Por kjo nuk është e gjitha. Falë dygolëshit të fundit, Ronaldo ka arritur në kuotën e 38 golave në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës, duke lënë pas rivalin e madh, Lionel Messi, i cili qëndronte në kuotën e 36 golave, aq sa kishte CR7 deri para pak ditësh. Argjentinasi i shënoi këto gola në ndeshjen e tij të fundit në vendlindje, ndaj Venezuelës, duke mbyllur një epokë me fanellën “albiceleste”.
Tani, vetëm një emër qëndron përpara Ronaldos: legjenda e Guatemalës, Carlos Ruiz. Ky i fundit ka realizuar 39 gola në kualifikueset e Botërorit, një rekord që për momentin mban ende gjallë trashëgiminë e tij, edhe pse nuk ia doli kurrë të dërgonte kombëtaren e tij në një turne të tillë.Me formën që po kalon dhe me pesë ndeshje të tjera të mbetura deri në përfundim të kësaj faze kualifikuese, Ronaldo është vetëm një gol larg barazimit të këtij rekordi dhe dy nga kalimi i tij. Një tjetër arritje madhështore duket se është në prag për kapitenin e Portugalisë, i cili prej më shumë se një dekade vazhdon të tejkalojë kufijtë e futbollit botëror.
Simbolikisht, një nga “viktimat” e preferuara të Ronaldos në këto kualifikuese mbetet Luksemburgu, ndaj të cilit ka realizuar 6 herë, i ndjekur nga Andorra dhe Letonia, me nga 5 gola secilës.
Cristiano edhe një herë po dëshmon se për të mosha është thjesht një numër, ndërsa rekordi tjetër i madh është vetëm çështje kohe.
sfidanti.al