Tuchel kritikon lojtarët

Pavarësisht fitores 2-0 ndaj Andorrës në kualifikueset e Botërorit 2026, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, nuk u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në “Villa Park”. Fitorja erdhi falë autogolit të Christian Garcias në minutën e 25-të dhe një goditjeje me kokë të Declan Rice pas një krosimi të saktë nga Reece James në pjesën e dytë, por gjermani kërkoi më shumë intensitet nga lojtarët e tij.

Një nga pikat pozitive të ndeshjes ishte debutimi i Elliot Anderson. Mesfushori i Nottingham Forest jo vetëm që tregoi siguri, por u shpall edhe “Lojtari i Ndeshjes”. Tuchel e lavdëroi hapur: “Shumë i mirë, bëri një punë fantastike dhe tregoi se është gati për këto nivele.”

Megjithatë, jo të gjithë morën vlerësime pozitive. Tuchel përmendi se Eberechi Eze nuk pati ditën më të mirë në rolin e numrit 10, Noni Madueke dështoi në pasimin e fundit, ndërsa Marcus Rashford humbi disa raste të pastra.

“Na munguan ato momente për të përshpejtuar lojën. Goli i dytë duhej të vinte më herët,” tha gjermani.

Trajneri la të kuptohet se do të ketë ndryshime në përballjen e ardhshme ndaj Serbisë në Beograd, ku testet do të jenë shumë më serioze. Disa lojtarë që nuk u aktivizuan, si Henderson, Loftus-Cheek apo Watkins, mund të kenë shansin e tyre.

Tuchel nënvizoi se sfida ndaj Andorrës ishte një provë për Anderson dhe shtoi se ai “e kaloi testin”, duke hapur derën për një tjetër paraqitje në Serbi.

sfidanti.al