Kinë, yjet e futbollit nuk janë si “Mjeku i tre kontinenteve”!

Lajmi kryesor nga vendi i madh i Azisë, këto ditë, duket si një zbaticë, si diçka kundër rrymës. Nëse këto vjet Kina u zbulua si “Eldorado” e futbollit, si toka ku milionat sikur mbinin nga dheu dhe u jepeshin pa kursim çdo ylli që vinte nga Europa, njoftimi i fundit shtetëror është që kjo dalldi do të marrë fund. “Partia” mendon se duhet shtrënguar rripi, dhe se rrogat e yjeve në Premier Ligën kineze nuk duhet të jenë më të mëdha sesa 2.5 milionë euro në vit. P.sh., ish-lojtari i Çelsit, Oskar, sot merr 10-fishin e kësaj rroge.

Siç njoftojnë mediat ndërkombëtare, tani pritet një eksod, jo drejt Kinës, por në largim prej saj, siç po ndodh me mjaft kompani të huaja, për shkak të luftës tregtare me SHBA-në dhe të rritjes së kostove të punës në vendin e madh. Tifozët kinezë do të kuptojnë se yjet europianë dhe amerikanolatinë, që kishin vërshuar me qindra dhe nuk linin “mjaltë” pa nxjerrë nga goja, nuk janë aspak njerëz që vdesin për Kinën, por thjesht duan paratë e saj. Një histori e kundërt me personazhin e famshëm historik, në romanin “Mjeku i tre kontinenteve”, ku doktori i shkëlqyer kanadez la klinikën e tij, dhe pasurinë, për t’iu shërbyer ushtrisë çlirimtare kineze që luftonte ndaj pushtuesve japonezë. Natyrisht, edhe sot ka njerëz të tillë, por jo në futbollin profesionist.

Sfidanti.al