Lajmi ishte që klubi i dytë më i madh i Siçilisë i dërgoi një kartolinë të hidhur lojtarëve të tij për Krishtlindje. Lajmërimi nga Katania ishte që futbollistët duhet të gjenin skuadër tjetër, pasi për shkak të borxheve ishte e pamundur të vazhdohej me pagesat. Nuk dihet sesi do të përfundojë kjo punë, veçse lajmi konfirmon faktin se futbolli në Italinë e Jugut po shkon keq e më keq.
Katania, një qytet jo edhe aq i vogël me mbi 300 000 banorë, dhe me zonën metropolitane me mbi 1 milionë njerëz, nuk është një klub kaq i parëndësishëm, por i pafuqishëm financiarisht. Kriza që ka përfshirë Europën e monedhës së përbashkët euro, po e godet qytetin 2 800-vjeçar thuajse po aq keq sa tërmetet e shekujve të kaluar. Gjithsesi, Katania nuk është rast i vetmuar.
Mediat italiane njoftojnë se në 2018 falimentuan skuadra me histori si Avelino, Bari, Modena, Rexhana e Çezena, Kievo e Veronës u zbrit në Serinë B. Që në vitet e para 2000, kriza financiare bëri që humbjet në total në futbollin italian të arrinin në 800 milionë euro, ndërsa sot llogariten në 4 miliardë euro. Vetëm Kievo e Veronës pati 15 milionë euro humbje në vit, apo 60 milionë në 4 vjet.
Nga kjo krizë më shumë ka vuajtur Jugu. Nëse shikon përbërjen e kampionatit 2019-2020, vëren se 15 klube janë të Veriut, dy të kryeqytetit, një i Sardenjës, dhe vetëm dy të Jugut (Napoli, Leçe), një kthim pas në vitin 1926. Duket shumë larg koha kur në 1979, numri i skuadrave të Jugut arriti në 31 për qind të kampionatit, maksimumi historik.
Sfidanti.al