Katër miliardë USD për stadiumet, sforcoja e Rusisë për Botërorin

Vendi i madh me kryeqytetin hijerëndë Moskë nuk dëshiron të zhgënjejë. Rusia jo me kot ka shpenzuar rreth 10 miliardë dollarë për të nderuar veten dhe historinë e saj, dhe gati 40 për qind e saj është investuar aty ku do të luhet, në stadiume.

Do të jetë një Kupë Bote europiane, edhe pse shteti numër 1 i botës nga sipërfaqja, shtrihet më së shumti në Azi. Nga Moska, në Shën Peterburg e deri në Jekaterinburg, skuadrat do të luajnë brenda kufijve të kontinentit tonë, jo përtej maleve Urale.

Le ta nisim me Moskën, ku do të jenë stadiumi kryesor, ai i finales, “Luzhniki”, si dhe Stadiumi i Spartakut, “Otkritie Arena”. Stadiumi kryesor i Rusisë, “Luzhniki” ka kapacitet 81 000 vende, dhe u rinovua për 4 vjet me radhë deri në 2017. U shpenzuan plot 400 milionë dollarë amerikanë, edhe pse ai ishte në standarde të larta që më parë. Emri “Luzhniki” do të thotë “këneta”, por kjo fjalë nuk ka asnjë lidhje me impiantin modern të sotëm.

“Atkritie Arena”, siç e lexojnë rusët, apo “Spartak Arena” siç e cilëson FIFA, i përket Spartakut dhe është tepër i ri, me ndërtimin që nisi në 2007. Një nga klubet më të mëdhenj të Rusisë nuk kishte shtëpi, por tani do ta ketë 45 000-vendëshe, dhe plot 430 milionë dollarëshe.

Nuk mund të mungonte kryeqyteti i dytë rus, Shën Peterburgu. Qyteti i krijuar nga Pjetri i Madh është jo vetëm një nga më të bukurit në botë, një copëz Holande e deri diku Italie në dimrin e Veriut.

Përveç monumenteve e pallateve të shkëlqyer si Hermitazhi apo Teatri Mariinski, përveç rreth 200 muzeumeve, qyteti ka edhe stadiumin e tij, të quajtur “Shën Peterburg Stadium”. Kapaciteti 67 000 vende, ndërtuar në vitet 2007-2016, dhe është selia e skuadrës vendase, Zenit. Cilësohet si një impiant supermodern dhe flitet se për të janë shpenzuar jo më pak se 1.5 miliardë dollarë.

Në qytetin-hero buzë Vollgës, ndeshjet do të luhen pranë njërës prej fushëbetejave më të famshme dhe më tragjike në histori, pranë Mamajev Kurganit. “Vollgograd Arena” është ndërtuar buzë Memorialit të Betejës së Staligradit në Luftën e Dytë Botërore, që dominohet nga Monumenti i Nënës Rusi. Stadiumi ka kapacitet rreth 45 500 spektatorë dhe për të u shpenzuan 280 milionë dollarë.

Mikpritës i Botërorit është edhe Soçi, qyteti turistik buzë Detit të Zi, ku u mbajtën Lojrat Olimpike Dimërore në 2014. Ndeshjet do të jenë në Stadiumin Olimpik “Fisht”, që mban 45 000 tifozë, ndërsa rinovimi i saj kushtoi plot 520 milionë dollarë.

Nuk mund të mungonte stadiumi i Kaliningradit, qytetit që sovjetikët ua morën gjermanëve pas Luftës së Dytë Botërore, ish-Kënigsbergu. Nevoja për ta paraqitur sa më shumë si tokë ruse ishte një nga arsyet që sfida të Botërorit do të luhen në stadiumin e qytetit, me 35 000 vende, ndërtuar i ri nga themelet me koston 300 milionë dollarë.

Kazani, apo Kazanji siç i thonë rusët, është një nga qytetet më të rëndësishëm të vendit, vendosur në juglindje në rrjedhën e Vollgës. “Kazan Arena” është po ashtu i ri, ndërtuar në 2013, mban 45 000 spektatorë dhe kushtoi 440 milionë dollarë.

Rreth 400 km në lindje të Moskës është Nizhni Novgorodi, me stadiumin e tij me të njëjtin emër, dhe me madhësinë pak a shumë standard prej 45 000 vendesh të ulura. Kushtoi më pak se shumë të tjerë, 290 milionë dollarë.

Ndeshje do të luhen në Arenën e Rostovit, në derdhje të lumit Don, që mban 45 000 spektatorë dhe për të cilin u shpenzuan 330 milionë dollarë.  Në historinë e Botërorëve do të hyjnë qyteti i Samarës në juglindje me stadiumin “Kozmos Arena” që mban 45 000 njerëz, si dhe qyteti i Saranskut me impiantin “Mordovia Arena” që ka kapacitet diçka më shumë se 44 000 vende. Për të dy u shpenzuan gjithsej 620 milionë dollarë.

Nuk mund të mbetej pa Kupë Bote as qyteti i Katerinë së Madhe, Jekaterinburgu, me “Central Stadiumin” që mban diçka më pak se 37 000 spektatorë. Rreth 4 miliardë dollarë besohet se janë shpenzuar gjithsej për 12 impiantet e Botërorit.

Sfidanti.al