Kur Kupa e Botës mbahet në SHBA, Kinë apo Brazil ka një shkak për t’u shqetësuar seriozisht, fluturimet e gjata nga ndeshja në ndeshje. Kur Botërori luhet në Rusi, qoftë edhe në pjesën europiane, shqetësimi kthehet në tronditje. Pretendimet e “të fortëve” në turne do të varen shumë nga sasia e kilometrave që do të duhet të kalojnë në avion, thjesht për të plotësuar kalendarin.
Më i dënuar nga të gjithë duket Brazili, që do të duhet të fluturojë gati 7 500 km vetëm për 3 ndeshjet e grupit, dhe kjo mund ta pengojë seriozisht “sambën”. Anglia po ashtu ka rrugë të gjata, me distancë mbi 6 660 km, ndjekur nga Spanja. Më keq në mënyrë absolute do të jetë për Egjiptin që do të jetë në “ajër” për mbi 9 100 km, që nga Grozni drejt qyteteve Jekaterinburg, Shën Peterburg dhe Vollgograd.
Me “hile” duket sikur është bërë për të favorizuar Argjentinën e Mesit, që do të lodhet thjesht për 2 200 km, apo Gjermaninë me 4 200 km. Gazeta angleze “Deili Meil” bëri një llogari nëse Anglia fiton Kupën e Botës, dhe i doli se kombëtarja do të udhëtonte ose 15 061 km, ose 15 175 km, pra distanca nga Londra për në Melburn të Australisë.
Sfidanti.al