Lebron Xhejmsi, apo makina që s’do të dijë për kilometrazhin

Ai u përzgjodh dhe hyri në NBA në vitin 2003. Lebron Xhejms ishte atëherë 18 vjeç dhe ai hapi derën e ligës më të madhe të botës në mënyrën e tij të veçantë, pa kaluar më parë në basketbollin e kolegjeve. Në 15 vite karrierë ai po ashtu përshkoi rrugën e tij i vetëm, i pangjashëm me askënd tjetër, dhe me statistikat që tregojnë se 33-vjeçari është si një makineri që nuk do të dijë për kilometrat që përshkuan.

Këtë sezon, Lebroni luajti për herë të parë në karrierë të 82 ndeshjet e fazës së rregullt, dhe duke qenë në fushë gati gjatë gjithë kohës. Po ashtu, edhe në plej of. Llogaria del se ai ka qenë në parket plot 650 minuta më shumë se cilido lojtar tjetër. Nëse kjo llogari bëhet që nga viti 2003, del se Xhejms ka luajtur plot 10 000 minuta se ndjekësi më i afërt, diçka thuajse mbinjerëzore.

Këtë herë, në mungesë edhe të Kajri Irvingut, mori përsipër gjithë fazën ofensive të Kavaliersëve, duke shënuar, kapur topa në tabela e duke dhënë asistë si kurrë më parë. Ai ishte i jashtëzakonshëm, por kjo e lodhi për mbrojtjen dhe Lebroni nuk mundi të ishte mbrojtësi i madh që ka qenë deri vjet. Klivlendi pati mbrojtjen e 29-të më të dobët nga 30 skuadra të NBA-së, por sërish arriti në finale. Kjo tregon se përse “Mbreti” është më i miri basketbollist në botë, dhe me diferencë.

Sfidanti.al