Nuk dihet saktë nëse ka ndodhur më parë diçka e tillë. Nga 10 trajnerë të kampionatit shqiptar, tre janë shkodranë, gjë që flet vetë për shkollën e futbollit të këtij qyteti, edhe pse Vllaznia është me një këmbë jashtë Superligës. Armando Cungu i Laçit dhe Edi Martini i Teutës cilësohen padyshim të suksesshëm, me ekipet e tyre të kualifikuar në kupat e Europës, ndërsa Hysen Dedja nuk mund të kritikohet shumë, pasi tek Vllaznia gjeti një realitet të vështirë financiar e sportiv, ndaj edhe mbetet me rrezikun e rënies nga kategoria. Cungu doli i treti në Superligë pas fitores 3-2 pikërisht në fushën e Teutës, duke përsëritur suksesin e disa viteve më parë. Tekniku kishte pasur sukses të madh në stolin e Kukësit, duke kaluar 4 ture në kupat e Europës.
Bashkëqytetari i tij, Martini, nuk ishte i pezmatuar nga humbja, pasi Teuta ka një objektiv tjetër dhe tepër afër, të shtunën luan finalen e Kupës ndaj Tiranës. Edhe durrsakët janë në Europë, ndërsa Martini bëri një rikthim të rëndësishëm në stol pas disa vitesh pushim, gjë që tregon se nuk e ka humbur instinktin e drejtuesit dhe lidhjen me futbollin. Sa për Dedjen, trajneri shkodran i Vllaznisë u përpoq të tregohej optimist përpara plej autit. “Jam i bindur se do të mbijetojmë në Superligë, – tha ai, – nuk dua të mendoj rënien dhe do të luajmë ndryshe nga sa bëmë me Flamurtarin”. Vllaznia dhe Shkodra janë si ai qyteti ku uji nuk mungon në natyrë, por qytetarët vuajnë thatësinë në rubinetat e tyre. Trajnerë shkodranë ka, po ashtu edhe futbollistë, madje për eksport, veçse skuadra është gjithnjë pranë greminës.
Sfidanti.al