U festua sikur të ishte fituar titulli! Futbollistët e Vllaznisë ishin në qiellin e shtatë pas fitores ndaj Partizanit që lejoi të mbanin të sigurt vendin e parë të Superligës dhe të linin prapa shumicën e rivalëve. Vetëm Kukësi mban ritmin e shkodranëve në distancë vetëm tripikëshe me suksesin kundër Skënderbeut. Mëkat që nuk pati tifozë në “Loro Boriçi” pikërisht tani në ringjalljen e skuadrës së zemrës që më në fund është kthyer në pretendime për herë të parë që nga 2009-ta. Edhe pse është shumë shpejt, vetëm java e 8-të nga 36 gjithsej, shkodranët nuk mund të mos shpresojnë të fitojnë titullin e parë pas gati 20 vjetësh.
Një koincidencë kuptimplotë, sot financohen dhe drejtohen nga Alban Xhaferi, ndërsa atëherë kishin në krye presidentin e paharruar, Myftar Çela. Fitorja ndaj Partizanit ishte tepër i vështirë dhe u arrit vetëm në fund, falë golit të shënuar nga Dilaver në 86’, por ç’rëndësi ka tani e gjithë kjo? Mbetet rezultati edhe pse minimal dhe ecuria e shkëlqyer, sidomos për një ekip të formuar rishtas dhe që pati kaq shumë probleme për shkak të drejtimit nga Bashkia.
Shkodranët ishin më kërkues në pjesën e parë, por pas pushimit Partizani iu afrua më shumë fitores. Nuk ia doli dhe, kur nuk shënon, e pëson. Vllaznia ka tani 19 pikë ndaj 16 të Kukësit që mundi 3-1 Skënderbeun, ndërsa ndeshja tjetër e luajtur në të njëjtën orë, Teuta-Laçi, përfundoi 1-1.
Më herët, Tirana arriti fitoren e dytë radhazi në kampionat, 3-0 ndaj Apolonisë së Fierit në “Selman Stërmasi”, duke u ngjitur në kuotën e 12 pikëve, baraz me Partizanin e vendit të tretë. Ismailgecaj, Batha dhe Muçi ishin autorët e golave, me këtë të fundit që ishte lojtari më i mirë në fushë sepse krijoi dy rrjeta dhe realizoi të tretën. Në Ballsh, ndërkaq, Bylisi mundi 2-1 Kastriotin.
Sfidanti.al