Mund ta dominosh një ndeshje, veçse të mos jesh në gjendje për ta fituar. Kështu po i ndodhte Interit në sfidën e Serisë A në fushën e Kaljarit, kur epërsia territoriale dhe ajo e mundësive për gol, ishte krejt ndryshe nga rezultati deri në minutën e 77-të. Sardët kishin kaluar në epërsi në minutën e 42-të dhe ishin mbajtur fort deri pranë fundit. Pikërisht 13’ para mbylljes së kohës së rregullt Nikolo Barela realizoi golin e barazimit, që ishte edhe ai i çlirimit për milanezët, që i ndihmoi të shpërthenin në fund. Danilo D’Ambrozio dhe Romelu Lukaku shënuan rrjetat e tjera, përkatësisht në minutat 84 dhe 90+4 për tri pikë shumë të rëndësishme që i ngjisin zikaltërit në 24 pikë, të sigurt në vendin e dytë.
“I bëj komplimentet djemve sepse u treguan shumë të zotë, – u shpreh trajneri Antonio Konte, – po luanin një ndeshje shumë të mirë në pjesën e parë, por pësuam gol dhe nuk e humbëm toruan. Në situata të tilla truri mund të bllokohet, por djemtë tanë u treguan të zot. Përgjigje e madhe, meritë e tyre”. Konte theksoi se deri në momentin e golit të barazimit, Interi kishte 15 gjuajtje drejt portës në dy ndeshje (Shahtar, Kaljari), duke arsyetuar se herë kanë gabuar lojtarët e tij, herë kanë shkëlqyer portierët kundërshtarë. Trajneri vlerësoi lart Barelën, ndërsa theksoi se ekipi duhet të jetë më i saktë para portës. Drejtori sportiv, Marota, theksoi se “pavarësisht se jemi të hidhëruar me eleminimin në Champions, Konte po e bën Interin më të fortë”. Zikaltërit janë ekipi me më shumë gola të shënuar në Serinë A deri tani, 29 në 11 ndeshje.
Sfidanti.al