Një penallti mjaftoi të ndante fatin e një ndeshjeje dhe të dy skuadrave. Ishte Vllaznia fituese në stadiumin e saj, “Loro Boriçi” që më në fund kishte spektatorë më shumë se herët e tjera (shkak ulja e çmimit të biletave). Pjeshka fitoi 11-metërshin dhe Elis Bakaj nuk gaboi në minutën e 55-të për të shënuar golin e vetëm të përballjes së javës së 25-të të Superligës.
Fati nuk ishte këtë herë me kurbinasit të cilët në pjesën e parë patën rastet më të mira, dhe duhej të kishin kaluar në avantazh. Qaqi goditi topin me kokë drejt e në traun e portës së Selimajt, ndërsa në minutën e 24-ët sulmuesi Mensah e kishte më të lehtë ta dërgonte topin në rrjetë se jashtë. Afrikani gaboi.
Në një farë mënyrë kjo vendosi fatin e përballjes, dhe Vllaznia e trajnerit Armando Cungu, me këtë sukses, u ngjit në kuotën e 31 pikëve, në vendin e katërt mbi Luftëtarin e Tiranën. Laçi është ende i parafundit, me vetëm 22 pikë po aq sa Flamurtarit të cilit i janë zbritur 6 pikë nga FSHF. Duket se dueli për mbijetesë do të zhvillohet mes këtyre dy skuadrave.
Sfidanti.al