Ishte thuajse i vetmi moment jo i mirë gjatë 90 minutave të lojës, bashkë me shtesat. Vllaznia e tregoi veten si një skuadër e frikshme brenda në stadiumin e Laçit duke dominuar një nga ekipet më të mirë të sezonit në Superligë. Të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç ishin gjatë gjithë kohës me lojën në kontroll, duke qarkulluar topin, duke provuar skema të ndryshme taktike e duke goditur portën. Vetëm shtylla, fati dhe portieri Dajsinani shpëtuan kurbinasit e Josës. Për fatin e keq të shkodranëve , Da Silva bëri të vetmen gjë gabim duke ndërhyrë ashpër ndaj Mazrekajt në zonë në 63’, e duke shkaktuar penallti të kthyer në gol nga Guindo. Fitore 1-0 e Laçit që mbetet në ndjekje të Tiranës me 37 pikë ndaj 43, por me një rezultat që gënjen kur vjen puna për lojën. Kukësi ndërkaq la pas humbjen pikërisht me Tiranën (0-4) duke arritur një fitore të rëndësishme në Rrogozhinë. Egnatia u mund 2-0 me gola të shënuar nga Taipi në pjesën e parë dhe Ndreca pas pushimit. Kukësi ka 34 pikë në vend të tretë, ndërsa Egnatia mbetet e parafundit në Superligë me 16.
Sfidanti.al