Njëri është kapiten e tjetri nuk ka shirit, por padyshim janë yjet më të mëdhenj të turneut. Mohamed Salah e Sadio Mane do të udhëheqin ekipet e tyre kombëtare, Egjiptin e Senegalin, në finalen e sotme në Jaunde të Kamerunit, në orën 20:00, me synim fitoren e Kupës së Kombeve të Afrikës. Një përballje krejt e veçantë, jo vetëm sepse luftohet për trofe, por edhe sepse Salah e Mane janë sulmuesit titullarë të Liverpulit, njërit prej ekipeve më të mirë të Anglisë e të Europës. Pasi fituan së bashku Championsin e Premier Ligën, dy 29-vjeçarët do të jenë krejtësisht rivalë për 90 apo 120 minuta. Salah, kapiteni i Egjiptit, ka shënuar 2 gola e ka shërbyer 1 asist deri tani.
“Është shumë e veçantë fitosh një trofe me kombëtaren e vendit tënd, – tha ai, – unë fitova Champions, diçka e madhe, fitova Premier Ligën që Liverpuli e priste 30 vjet, fitova në Zvicër, por tani dua ta provoj çdo të thotë të fitosh me vendin tënd. Jemi shumë të emocionuar dhe kemi shpresë se do t’ia dalim”.
Mane është paraqitur edhe më mirë, me 3 gola e 2 asistë. Ai u pyet disa ditë më parë se ndaj kujt donte të luante finalen. “Me Nabi Keitanë dhe Mo Salahun, – tha ai, – kjo do të ishte mirë, – por, unë nuk mund të luajë ndaj dy ekipeve në finale, pra unë duhet të luaj vetëm ndaj njërit. Ju uroj fat të gjithëve, ju pres në finale”. Për duelin Salah-Mane foli edhe trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop. “Pashë shumë ndeshje, – tha gjermani, – Nabi (Keita) ishte lideri i Guinesë, Sadio ishte i tillë tek Senegali dhe Mohamedi ishte tek Egjipti. Gjithë kjo përvojë e djemve do të na ndihmojë edhe ne, padyshim. Nuk e di nëse efekti do të jetë pikërisht tani, por në aspektin afatgjatë, jam i sigurt”.
Senegali nuk ka probleme formacioni, dhe në ekip shkëlqejnë Ferlan Mendi, Geje, Kulibali, Sarr si dhe portieri Eduard Mendi. Egjiptit i mungon mesfushori Tofik, ndërsa Hegazi është në dyshim. Edhe pse egjiptianët kanë më shumë përvojë, Senegali jepet favorit.
Sfidanti.al