Udhëtim me dronin e euforisë: Kukësi si Reali dhe Bajerni!

Në tetë javë të luajtura në kampionat, Kukësi ka grumbulluar 14 pikë dhe ndodhet 5 pikë larg Skënderbeut të vendit të parë, ndërkohë që verilindorët kanë të njëjtat objektiva me kampionët e vendit. Kjo nuk ka kaluar pa pasoja në skuadër, ku është shkarkuar Drejtori i Përgjithshëm, Dritan Dervishi, me motivacionin si i paaftë. Ndërsa shtypi është kujdesur të qetësojë presidentin Gjici, duke i kujtuar që në listën e kampionateve më elitare të kontinentit, Kukësi është një prej skuadrave që nuk ka pësuar asnjë humbje, megjithëse për fat të keq kjo nuk ka vlejtur për të qenë të paktën ngjitur me Skënderbeun në tabelën e klasifikimit. Ashtu si skuadra e Gjokës, kolonën e humbjeve zero e kanë në kampionatet e tyre Reali i Madridit, Bajerni i Mynihut, Totenhemi, Nica në Francë, ndërsa në Serinë A asnjë skuadër nuk mund të krahasohet me Kukësin.

Madje ka edhe një arsye pse ka ndodhur kështu. Fituesit e Champions League kanë vijën e parë Kristiano Ronaldon, skuadra e Ançelotit, Levandovskin, Hotspurs ndihmohen nga Heri Kein dhe surpriza e Francës ka në përbërje Mario Balotelin… ndërsa në Kukës është bomber 34 vjeçar Pero Pejiç, i cili ka një jetë të tërë që shënon vetëm në Shqipëri. Llogjika të thotë se me këtë bilanc ndërkombëtar, trajneri Gjoka duhet të jetë i qetë, pasi ka arritur një rekord unikal. Por më mirë le të presim se çfarë mund t’i ndodh në rast të një barazimi tjetër, në fundjavë ndaj Luftëtarit, ose më keq akoma nëse bie një shkallë më poshtë dhe do të na duhet ta krahasojmë jo me Realin, por me një ekip të dorës së dytë, si Barcelona e Luis Enrikes, që e ka shijuar edhe humbjen.