Kohë nuk ka shumë ndaj edhe po nxitojnë. Ekipet shqiptare që marrin pjesë në kupat e Europës kanë nisur fazat përgatitore, ndërsa do të luajnë në korrik. Tirana vazhdojnë fazën përgatitore në Turqi, me synimin për të qenë gati për sfidat me Dudelanzhin në Championsin në 6 korrik. Kampionët e Shqipërisë ndjejnë nevojën për përforcime, pasi largimet kanë qenë më të mëdha sesa afrimet. Burime në klub pohojnë se kryeqytetasit po mendojnë sidomos për një mbrojtës dhe mendojnë për lojtarin e kombëtares, Mario Mitaj që luan në Greqi. Po ashtu, duhet një sulmues, ndonëse Taulant Seferi vazhdon të jetë pjesë e skuadrës për në kupat europiane.
Ekipi i trajnerit Shehi humbi 1-2 miqësoren e parë në Antalia ndaj moldavëve të Dinamos së Tiraspolit, ndërsa pritet të luajë edhe 3 ndeshje të tjera, nesër ndaj Shkupit, në 22 qershor kundër Hermanshtadit të Suedisë dhe në 25, kur do të ndeshet me Fenerbahçen e Stambollit.
Partizani, ndërkaq, ka zgjedhur Slloveninë për fazë përgatitore. Ekipi ndodhet në veri të Ballkanit që nga mesi i kësaj jave. Të kuqtë fituan 2-1 ndeshjen përgatitore ndaj Murës vendasve, duke përmbysur rezultatin me golat e Skukës e Hotit, e më pas do të luhet ndaj Jadranit e Mariborit. Të kuqtë kanë afruar lojtarë si Hotin, Telushin, Cvetanovskin apo portierin Rexhepi, po ashtu Da Silvën dhe Romeron, ndërsa janë larguar disa futbollistë mes të cilëve Stenjo Zhunior, Mala, Damçevski e Miroslavljev. Vllaznia, gjithashtu ka nisur përgatitjet, dhe trajneri Josa do të punojë fillimisht në Shkodër për të vazhduar më pas në Mal të Zi. Nga ekipi ka disa largime, dhe shkodranët synojnë të marrin përforcime nga jashtë vendit.
Laçi, ndërkaq, ka probleme të mëdha për të zgjidhur, gjithnjë nëse dëshiron një paraqitje si ajo e sezonit të kaluar. Nga skuadra kurbinase janë larguar lojtarë të rëndësishëm si Sherri, Ignjatoviç, Veliaj, dhe sidomos mesfushorët Deliu e Shehu. Më herët është larguar Lushkja, ndërsa nuk dihet e ardhmja e Roganoviçit dhe Malotës. i afruar është vetëm mbrojtësi i djathtë serb, 23-vjeçari Luka Cucin. Laçi kaloi dy raunde në Ligën e Konferencës verën e kaluar, gjithnjë nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, dhe synon që të arrijë sërish të njëjtën gjë.
Sfidanti.al