Alonso 40-vjeçar u tregon të tjerëve sesi pilotohet në shi në Formula 1

Lajmi i parë, që ka lidhje direkt me garën për titull, është ai që Maks Verstapeni doli në vend të parë në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Kanadasë në Montreal. Në pistën e përmbytur nga reshjet e shiut, kampioni i botës në Formula 1 la pas gjithë rivalët, edhe pse realisht më i miri pilot ishte dikush tjetër. Nëse holandezi ishte në timonin e makinës më të mirë të momentit, Red Bullit, sfida ndaj tij u realizua nga Fernando Alonso. Spanjolli 40-vjeçar, dy herë kampion i botës, ishte i shkëlqyer me makinën e tij Alpin, duke treguar se nuk ka humbur thuajse asgjë nga klasi i tij, sidomos në ato kushte kur pilotët e tjerë nuk arrijnë të tregojnë veten. Pak besohet që Alonso të garojë për fitore apo edhe për podium, ndonëse varet nga rrethanat e garës dhe nga moti, por sidoqoftë ai e arriti fitoren e tij që të shtunën, ndërsa Verstapeni do të përpiqet të arrijë fitoren tjetër radhazi, kurse Sharl Lëklerk i Ferrarit të afrohet sa më shumë qën nga vendi i fundit.

Sfidanti.al