Tirana fiton Superkupën, dy trofe në pak muaj për të “rrëzuarit”

Tirana mund të jetë në Kategorinë e Parë, mund të ketë qenë një nga dy skuadrat më të dobëta të Superligës sezonin e shkuar, por për pak muaj fitoi dy trofe. Jo pak, pavarësisht kritikave ndaj skuadrës së një klubi të madh, por në moment “të vogël”. Një gjuajtje e mbrojtësit Hoxhallari i dha skuadrës kryeqytetase Superkupën e Shqipërisë përballë Kukësit kampion, një rrjetë që erdhi në minutën e 90-të.

Kuksianët e trajnerit Milinkoviç mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 28-të dhe luajtën në inferioritet numerik për më shumë se një orë, gjë që u ndje. Tirana, gjithsesi, ishte përgatitur mirë të paktën për këtë takim, duke ushtruar presion e duke ndërtuar aksione që kur forcat në fushë ishin në barazim. Interesant fakti se kartonë të kuq morën edhe dy ndihmësit e trajnerit Milinkoviç për protesta, Papa e Gvozdenoviç.

Populli thotë “paraja shkon tek paraja”, ndërsa le të themi se “kupa shkon te kupat”, pra Tirana 24 herë kampione dhe 15 herë fituese e Kupës, i shtroi edhe një trofe kabinetit të saj të pasur. Gjithsesi, detyra kryesore për trajnerin Ze Maria dhe të besuarit e tij është që të ngrenë ekipin në Superligë që majin e ardhshëm. Sa për Kukësin, me mentalitetin që ka presidenti Gjici, Milinkoviç ka nisur të rrezikojë që tani.

Sfidanti.al