Tirana ende jo për “lart”, veçse sa e vështirë që të mundet?!

Ishte skuadra që ndoshta shpenzoi më pak në periudhën e transferimeve të janarit, pati edhe një “enigmë” si Sentamu, si dhe dëmtime e pezullime. Gjithsesi, Tirana po bëhet një skuadër gjithnjë e më shumë e vështirë për t’u mundur, dhe një nga ato që di të reagojë më mirë kur pëson gol.

Pasi përmbysi Kamzën me 4 rrjeta, sapo pësoi, formacioni i Memës u përball mirë me një nga ekipet më të mirë të Superligës, Teutën. Durrsakët e këtij viti kanë lojtarë të tillë si Hidin, Frashërin, Bicin, Arapin, Osmanin, Kallakun, Prognin, por edhe të huajt e fortë Sidibe apo Kamara.

Gjithsesi, bardheblutë ia dolën të merrnin pikën, ndonëse siç u shpreh Mema pas ndeshjes, luajtën me disa lojtarë të dëmtuar, që u bënë gati me “injeksione”.

Natyrisht, Tirana e këtij edicioni nuk mund të pretendojë mrekullira, dhe nuk mund t’i bëjë sado dëshirë që të ketë. Me një klub me probleme organizimi e menaxhimi, me sezonin e nisur me një trajner e me lojtarë të sjellë nga të gjitha anët, është shumë e vështirë të shkëputesh nga vendet e fundit dhe t’i afrohesh Europës. Tetë apo 10 pikë largësi nga vendi i 5-të e i 6-të janë thuajse të pakapërcyeshme.

Sidoqoftë, nëse në “kokë” të Tiranës do të ndodhë ndonjë mrekulli, dhe klubi do të ketë një strategji të paktën afatmesme, mund të thuhet se skuadra më e famshme e Shqipërisë mund të ketë të ardhme. Në “Selman Stërmasi”, Teuta kaloi në epërsi që në minutën e 2-të me Prognin, dhe tiranasit barazuan në 38’ falë Majkëll Ngosë. Pas 20 ndeshjeve të luajtura, Teuta ka 35 pikë, 5 më pak se Partizani kryesues, ndërsa Tirana ka 21 pikë, 6 mbi zonën që të zbret në Kategorinë e Parë.

Sfidanti.al