‘Mbreti Luan’ me zemër violë, Gabriel Batistuta ka ditëlindjen, feston 50 vjetorin

Gabriel Batistuta mbush 50 vjec. Prej 16 vitesh nuk luan më në Itali dhe prej 14 vitesh është tërhequr nga futbolli. Por në Itali e sidomos në Firence askush nuk e ka harruar sulmuesin argjentinas për atë që ai ka dhënë në fushën e lojës. Janë të shumta mesazhet e urimit në drejtim të Batigol që janë bërë nga bota e futbollit, nga ish shokët e tij të skuadrës, por edhe nga ata me të cilët ai është përballur që e kanë përkufizuar si një kundërshtar të fortë dhe besnik

Gabriel Batistuta është autori i 238 golave të shënuar me fanelën e Fiorentinës, Romës dhe Interit, 203 nga të cilat me fanelën violë. Ceki Gori e solli në Firence në vitin 1991 pasi e bleu nga Boka Xhuniors. Ishin të paktë ata që besonin te ky sulmues, por stërvitja dhe dëshira për t’u përmirësuar e shndërruan Batistutën në Batigol. në 8 shtator të 1991, Batistuta shënoi golin e tij të parë në Serinë A në ndeshjen kundër Xhenoas, por do të jetë ai i shënuar ndaj Juventusit pak javë më vonë që do ta shndërrojë përfundimisht argjentinasin në idhullin e tifozerisë së Fiorentinës.

Në 1994 Fiorentina u rikthye në Serinë A, dhe ishte ky viti i konfirmimit të Batistutës që shënoi në 11 ndeshje radhazi të kampionatit duke thyer rekordin e Paskutit. Batistuta u largua nga Fiorentina në vitin 2000 duke fituar një Kupë Italie dhe një Superkupë Italiane. Më pas ai u transferua te Roma e Kapelos për 70 miliardë Lireta. Me verdhekuqtë fitoi një titull kampion dhe një Superkupë. Por futbolli i tij që bazohej te forca fizike i shkaktoi edhe probleme të cilat i ndjenë më shumë kaviljet e tij.

Karriera e Batistutës në Serinë A përfundon me fanelën e Interit me të cilin u aktivizua për 6 muaj, nga janari në qershor të vitit 2003. Por pavarësisht titullit të fituar me Romën, Batigoli apo ‘Mbreti Luan’ të cilit i është dedikuar edhe një statuje si dhe i është dhënë titulli ‘Qytetar Nderi’, do të mbetet gjithmonë fiorentin.

sfidanti.al