Tirana e Dedes nis të marrë xhirot, vjen fitorja e dytë në Superligë

Kundërshtari ishte i lehtë, por gjithsesi suksesi është gjithnjë sukses. Tirana e trajnerit Nevil Dede arriti fitoren e dytë radhazi në Superligë, duke iu afruar sado pak kreut të renditjes. Triumfi ishte 3-0 ndaj Apolonisë në “Selman Stërmasi”, me gola të shënuar nga Ismailgeci, Batha dhe Muçi. Fierakët arritën të rezistonin në pjesën e parë, falë portierit të tyre, Mërtiri, por edhe gabimeve të kampionëve, por pas pushimit nuk pati histori. Ismailgeci shënoi në minutën e 49-të pas aksionit personal të Ernest Muçit. Në minutën e 77-të, ishte sërish Muçi që dha pasimin për golin e dytë shënuar nga kapiteni Batha. Rezultati u vulos në minutën e 87-të kur Batha i ktheu nderin Muçit, duke e ndihmuar që të shënonte golin e tretë, për t’u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes.

Në sfidën tjetër, nisur po në orën 13:45, Bylisi shfrytëzoi faktorin fushë duke mundur 2-1 Kastriotin e Krujës. Ndreca e Memetllari shënuan që në fillim për mallakastriot, ndërsa krutanët reaguan me anë të Dejvidit në 41’. Në 16:45 luhen tri ndeshjet e tjera të Superligës, në Shkodër, Elbasan dhe Durrës. Vllaznia, kryesuese e kampionatit, pret Partizanin në stadiumin “Loro Boriçi” në një duel mes dy prej ekipeve më të mirë të sezonit deri tani. Nënkampioni në fuqi, Kukësi, pret Skënderbeun e vendit të fundit, një ndeshje që luhet në “Elbasan Arena”, ndërsa Teuta ndeshet me Laçin. Durrsakët do të synojnë të kthehen tek fitorja pas 5 barazimeve radhazi. Vllaznia kryeson Superligën me 16 pikë pas 7 javësh, ndërsa pas shkodranëve janë Kukësi, Partizani e Tirana.

Sfidanti.al