Dortmundi shkarkon trajnerin Favre, edhe pse fitoi më shumë pikë se Klopi!

Humbja e fundit 1-5 nuk u kapërdye dot, dhe klubi mori vendimin ekstrem për njeriun e stolit. Lysien Favre nuk është më trajner i Dortmundit, i shkarkuar pas disfatës së rëndë të kësaj fundjave në Bundesligë.

Shtutgarti u bë shkaku për “kurbanin” ndaj Favresë, ndërsa shefi ekzekutiv Vacke dhe drejtori sportiv Cork e humbën plotësisht besimin se zvicerani do të arrinte të realizonte kthesën. Kjo ishte humbja e katërt në 11 javë kampionat për Dortmundin, diçka jo normale për një skuadër të tillë, ndërsa ndodhet 5 pikë prapa kreut që mbahet nga Bajerni dhe Lajpcigu.

Komentet në mediat gjermane ishin që vendimi i shkarkimit ishte i logjikshëm përderisa Dortmundi pati pak stabilitet me trajnerin dhe shumë ngecje në vend në 12 muajt e fundit. Zvicerani u largua ndonëse pati rendimentin më të mirë në historinë e klubit, me 2.09 pikë për ndeshje, me 50 fitore, 13 barazime e 13 humbje. Otmar Hicfeld pati 1.85 pikë për ndeshje, Jurgen Klopi arriti në 1.91 pikë për ndeshje (133 fitore, 56 barazime, 49 humbje), dhe Tomas Tuheli arriti në 2.09 pikë për ndeshje (42 fitore, 16 barazime, 10 humbje).

Sfidanti.al