Tirana, dhuratë Partizanit! Nuk lejon Skënderbeun në krye të Superligës!

Nuk paska qenë java e kryesuesve. Pas Partizanit, ja ku gaboi edhe Skënderbeu, gjithnjë nëse quan gabim barazimin në fushën e Tiranës.

Kampionët nuk pësuan disfatë, si kryeqytetasit në Vlorë me Flamurtarin, por rezultati 1-1 në “Selman Stërmasi nuk i lejoi që të ngjitej përsëri në vendin e parë.

Formacioni i trajnerit Orges Shehi tregoi sërish se nuk është aspak i sigurt ndaj ekipeve të gjysmës së poshtme të renditjes, ndaj të cilëve ka lënë shumë pikë.

“Macja e zezë” mund të quhet pikërisht Tirana, që i ka marrë 4 pikë në dy ndeshjet direkte, ndërsa u konfirmua frika e trajnerit Shehi nga ndeshjet pa spektatorë. Tifozët bardheblu ishin të dënuar.

Vendasit e nisën më mirë ndeshjen në fushën e tyre, por epërsia në sulme nuk i dha epërsinë në rezultat. Në të kundërt, ishte Skënderbeu që shënoi i pari, me anë të njërit prej lojtarëve të tij më të mirë, Bruno Ditës.

Gjithsesi, ndryshe nga shumë herë të tjera, ekipi i trajnerit Ardian Mema, këtë herë reagoi dhe nuk lejoi humbjen. Në fund të pjesës së parë gjeti barazimin me autor goli afrikanin Sentamu.

Pas pushimit, niveli i lojës ra nga të dyja skuadrat, ndonëse nuk munguan aksionet dhe këmbëngulja për golin e fitores.

A mund ta dëmtojë Skënderbeun ky shans i humbur? Është herët të flitet që tani për titullin, nërsa korçarët presin që Tirana të luajë po kaq fort në derbin ndaj Partizanit, javën që vjen. Atëherë po, që ata do të mund të dalin në krye.

Pas 14 javëve, Partizani ka 31 pikë ndaj 30 të Skënderbeut, me ekipet e tjerë të mbetur shumë prapa.

Sfidanti.al