U zbulua se kush do ta shesë medaljen e bronzit të Kroacisë

Opinioni publik kroat, gjatë ditëve të fundit, u shokua nga një lajm i bërë të ditur nga një shtëpi aukcioni se në ankand, pra në shitje, do të dalë një medalje brozi që kroatët e kanë fituar në kampionatin botëror të Francës, më 1998. Shumëkush në Kroaci u befasua se kujt i ka shkuar në mend që ta shesë këtë simbol historik të çmuar suksesi të futbollit kroat. Sidoqoftë, mediumeve nuk iu desh shumë kohë që ta zbulonin personin që do ta shiste medaljen në fjalë.

E vërteta është se medalje, veç ekipeve përfaqësues që zënë tre vendet e para në një Botëror, u jepen edhe disa përfaqësuesve të FIFA-s, kështu që një nga ata, megjithëse emri nuk publikohet, ka vendosur që ta nxjerrë atë në ankand (shitje) me çmimin fillestar prej 7500 eurosh.
“Ne mund të konfirmojmë se medaljen do ta shesë një person që është një koleksionist i njohur në rajon dhe se ai e ka blerë atë para 10 vitesh nga një zyrtar i FIFA-s. Kjo medalje nuk është pjesë e 30 medaljeve të bronzit që i është dhënë federatës kroate të futbollit, por pjesë 10 medaljeve suplementare që u jepen zyrtarëvë të FIFA-s. Më 1998, u prodhuan gjithsej 40 medalje bronzi, pra 10 më shumë dhe ato i mori FIFA”, bëri të ditur Armand Klushen i revistës “Agon SportsWorld”.
Sfidanti.al