Kaluan fare pak ditë dhe një ndryshim dramatik ndodhi në Superligën shqiptare. Teuta, e mundur bindshëm në Durrës nga Partizani, u rikthye në vendin e parë dhe madje ka prekur titullin me një dorë pasi ndeshjen e fundit e ka në “Niko Dovana” ndaj Apolonisë. Barazimi 0-0 në fushën e Laçit, kombinuar me fitoren e bujshme të Vllaznisë në “Arenën Air Albania” ndaj Partizanit, bëri që durrsakët e shkodranët të kenë nga 63 pikë, veçse “djemtë e detit” kanë bilanc më të mirë në ndeshjet direkte. Partizani ka 62 pikë, ndërsa Laçi 61, e në javën e fundit Partizani luan në fushën e Bylisit, ndërsa Vllaznia pret pikërisht Laçin në “Loro Boriçi”.
Teuta përballoi presionin e Laçit në Kurbin, duke pasur edhe ajo rastet e veta, edhe pse skuadra e trajnerit Shpëtim Duro ishte më agresive dhe pati më shumë mundësi shënimi. Të besuarit e trajnerit shkodran, Edi Martini, u treguan të fortë nga ana psikologjike, duke shfrytëzuar mbrojtjen dhe portierin Frashëri. Në “Arenën Air Albania”, Partizani bëri presionin, por Vllaznia pati jo pak raste, ndaj mund të thuhet se e meritoi fitoren. Trysnia e të kuqve ishte e madhe, u krijuan edhe disa raste, por po ashtu u përgjigjën shkodranët, që arritën fitoren pas një penalltie të fituar në 72’. Herald Marku u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit duke i dhënë një sukses të madh kuqebluve të trajnerit Tomas Brdariç.
Lajmi tjetër i madh ishte që Skënderbeu realizoi mbijetesën pasi fitoi 2-1 ndaj Kukësit, dhe sfida Kastrioti-Bylis u mbyll në barazim. Tirana ndërkaq barazoi 1-1 në fushën e Apolonisë. Java 35: Laçi-Teuta 0-0, Partizani-Vllaznia 0-1, Skënderbeu-Kukësi 2-1, Apolonia-Tirana 1-1, Kastrioti-Bylis 1-1.
Renditja: Teuta e Vllaznia nga 63 pikë, Partizani 62, Laçi 61, Tirana 55, Kukësi 45, Skënderbeu 37, Kastrioti 32, Bylis 31, Apolonia 21. Java 36: Teuta-Apolonia, Vllaznia-Laçi, Bylis-Partizani, Kukësi-Kastrioti, Tirana-Skënderbeu.
Sfidanti.al