A mundet që Monza të marrë Bufonin, Kielinin dhe Inzagin?!

Tek Juventusi thonë se ka ardhur koha që garda e vjetër të bëjë një zgjedhje. Flasim për Xhanluixhi Bufonin dhe Xhorxho Kielinin, të cilëve u përfundon kontrata këtë verë. Portieri e ka shprehur hapur se do të largohet nga Torino, për në një ekip tjetër, ndonëse nuk dihet se ku. Pse jo Monza, edhe pse klubi i Berluskonit dhe i Galianit nuk e siguroi dot ngjitjen për në Serinë A. Galiani ka bërë një propozim edhe për yll tjetër. Ky mund të jetë pikërisht Kielini, 35-vjeçari që ka nisur bisedimet me presidentin Anjeli për të ardhmen. Do të qendrojë edhe një vit tek Juvja? Ndoshta do të rinojë për 3 vjet, derisa të jetë 38? Kjo është e vështirë pasi pritet të dihet se cili do të jetë trajneri i ri i “Zonjës së Vjetër”. Vetë Kielini thotë se “kam marrë disa propozime dhe njëri prej tyre ka ardhur nga një drejtues nga ata që unë i vlerësoj shumë dhe që mund të më bindë”. Ky drejtues mund të jetë Galiani. “La Gazeta delo Sport” intrigon se krahu i djathtë i Berluskonit mund të realizojë një ëndërr tek Monza për të provuar ngjitjen në Serinë A, pra me Bufonin e Kielinin, dhe me një trajner si Filipo Inzagi që pritet të largohet nga Benevento në fund të sezonit.

Sfidanti.al