Harri Kejn, “gjuha e trupit” dhe dëshira për të luajtur me De Brujnin!

Çelsi është gati të japë një “paketë treshe” për ta marrë, por duket se e ardhmja e Harri Kejnit është diku tjetër. Sulmuesi i Totenhemit dhe i Anglisë ka deklaruar se i pëlqen të luajë së bashku me Kevin De Brujnin, pra më shumë gjasë dëshira e tij është që të luajë për Mançester Sitin. Do të mbetej në Premier Ligën e tij të dashur, që e njeh shumë mirë dhe që është kampionati më i fortë në botë, gjithsesi nuk do t’ia copëtonte zemrën tifozëve të Totenhemit duke zgjedhur rivalin e derbit, Çelsin. “De Brujn është ëndrra e çdo sulmuesi”, – u shpreh Kejn në një intervistë me Geri Nevilin për “Skaj Sportsin”.

Pasi shtoi se Totenhemi nuk ia doli këtë sezon dhe se skuadra ka nevojë të rindërtohet, ai theksoi se nuk kishte premtuar ndonjëherë se e gjithë karriera e tij do të kalonte me Spërsat. Disa specialistë të psikologjisë dhe të “gjuhës trupore”, të pajtuar nga mediat angleze, sqaruan se mënyra sesi lëvizje Kejni, me trup, me këmbë e me duar, shprehte padurim, ndërsa thuhet se ai dëshiron të arrijë nivelet e Lionel Mesit. Ndoshta kjo është e tepruar, por padyshim që kapiteni i Anglisë dëshiron të fitojë trofe, diçka që nuk e ka bërë me Totenhemin.

Sfidanti.al