Duket sikur e kanë bërë me fjalë. Një ditë më parë ishte Partizani që u mund në fushën e Kukësit, ndërsa hapat fals i vazhduan edhe Tirana me Vllazninë. Pretendentët kryesorë për titull në Abisnet Superligë gabuan që të gjithë në një javë që ishte e mallkuar për ta. Nuk dihet qartësisht se çfarë ndodhi, por fakti mbetet që Tirana u thye 2-0 nga Teuta, madje në shtëpi. Durrsakët triumfuan në “Arenën Air Albania” falë dy golave të kapitenit Emiljano Vila. Sulmuesi realizoi nga një herë në çdo pjesë loje, ndërsa kampionëve nuk u bëri punë fakti që miqtë mbetën me 10 lojtarë që nga minuta e 73-të.
Kjo disfatë do të thotë që bardheblutë nuk u shkëputën dot nga Partizani, duke qenë sërish vetëm 3 pikë larg ndjekësve, ndërsa kryesojnë renditjen. E papritur edhe më e madhe ishte humbja e Vllaznisë. Shkodranët, edhe ata pretendentë për titull, u mposhtën në stadiumin e tyre, “Loro Boriçi” nga Kastrioti. Një gol i sulmuesit Mihana, shënuar që në minutën e 30-të, vendosi fatin e përballjes, me ekipin e trajnerit Mirel Josa që pati epërsi, por që nuk e konkretizoi. Pas 23 javëve kampionat, Tirana kryeson me 40 pikë ndaj 37 të Partizanit e 35 të Vllaznisë.
Sfidanti.al