Rokada e madhe ndodhi. Është Tirana tashmë kryesuese e Abisnet Superligës, pas kombinimit të duhur të rezultateve në javën e 17-të. Bardheblutë, kampionë në fuqi, triumfuan pa asnjë problem në “Arenën Air Albania” 4-1 ndaj Bylisit duke u ngjitur në vend të parë, një pikë mbi Partizanin. Në stadium për fat të keq nuk pati shumë publik për të kremtuar tregolëshin e sulmuesit Patrik, heroit të ndeshjes për tiranasit. Një herë shënoi Hasani, ndërsa ballshiotët shkurtuan përkohësisht në 1-3 me Kaçorrin. Pavarësisht largimit të pritshëm të Xhixhës, Tirana duket shumë e fortë, e ndoshta mund të jetë edhe më e qetë pas problemeve financiare të fundit të vitit të kaluar.
Partizani, që ishte kryesues deri para kësaj jave, nuk bëri më shumë sesa të barazonte 1-1 në stadiumin e Kamzës ndaj Kastriotit. Në një terren të vështirë, të kuqtë nuk ia dolën edhe pse luajtën me formacionin më të mirë, ndërsa golit të Carës me penallti iu përgjigj shpejt Zogaj. Trajnerit të Kastriotit, Ardian Mema, padyshim që kjo pikë iu duk sikur u mor në derbi, pasi ka qenë kapiteni i Tiranës dhe i përket familjes që i ka dhënë më shumë futbollit bardheblu.
Me kreun afrohet edhe më shumë Vllaznia. Shkodranët patën vazhdimësi pas fitores 2-1 ndaj Partizanit në kryeqytet, duke mundur bindshëm Laçin 4-1. Në “Loro Boriçi” shënuan dy herë vlonjati Hoxhaj, një herë Juriç dhe pastaj Jonuzi, ndërsa Shkurtaj ishte shumë pak për kurbinasit. Debutimin në rikthim e bëri edhe sulmuesi i kombëtares, Bekim Balaj, që hyri në pjesën e dytë, por që nuk arriti të shënonte. Tirana kryeson me 31 pikë, ndaj 30 të Partizanit, ndërsa Vllaznia ka 28.
Sfidanti.al