Superliga, Teuta i largohet fundit, ndërsa Egnatia nuk iu afrua dot kreut!

Do të mbijetojë apo jo? As vetë Teuta nuk e di, por gjithsesi fitorja e fundit ia dha sado pak shpresa. Durrsakët mundën 2-0 Kastriotin në “Niko Dovana” dhe iu shkëputën të paktën vendit të fundit në renditjen e Abisnet Superligës. Suksesi, që u duk i merituar, u arrit falë golave të Lorenco Vilës dhe Oshafit, ndërsa vendasit goditën edhe shtyllën. Ekipi i trajnerit Edi Martini nuk e pati përforcimin e fundit të sapoardhur nga Tirana, Sherif Kallakun, por sidoqoftë i mjaftuan ata që pati në fushë, edhe pse trajneri i krutanëve, Ardian Mema, u ankua për arbitrimin. Të paktën pesë ekipe janë në garë për të mos rënë nga kategoria, pikërisht Kukësi i vendit të fundit, Teuta, Bylisi, Kastrioti dhe Laçi.

Egnatia, ndërkaq, humbi një rast të madh për t’iu afruar kreut, pasi arriti vetëm një barazim në shtëpi me Erzenin.  Skuadra nga Rrozhogina pati mundësinë për të qenë vetëm 2 pikë larg Partizanit të vendit të parë, por rezultati 1-1 nuk e lejoi.  Vendasit kaluan të parët në epërsi pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë me anë të një penalltie që e realizoi Xhekson.  Gjithsesi, shijakasit reaguan shpejt dhe barazuan me anë të Sadikit. Në vetëm çerek ore lojë u shënuan 4 gola, por dy prej tyre u anuluan me ndihmën e VAR-it.  Fillimisht, kjo i ndodhi Egnatias dhe më pas edhe Erzenit.  Me këtë barazim, skuadra e trajnerit Shpëtim Duro arrin në 25 pikë, në kuotë të barabartë me Vllazninë në vend të tretë.  Shijakasit kanë 23 pikë, duke qenë edhe ata në zonën e Europës.

Sfidanti.al