Vllaznia merr Bekim Balajn për 3 vjet, mposht konkurrencën e kryeqytetit për sulmuesin kuqezi!

Nëse duhej një “qershi mbi tortë” pas kësaj fitoreje, ja ku erdhi. Vllaznia nuk la të kalonin as 24 orë nga suksesi në kryeqytet ndaj Partizanit, kur arriti një përforcim të rëndësishëm. Bekim Balaj firmosi kontratë me klubin shkodran për 3 sezonet e ardhshme, në një lëvizje që pritet ta bëjë edhe më shumë pretendent ekipin kuqeblu për të marrë titullin kampion. Sulmuesi i kombëtares shqiptare u rikthye në Shqipëri pas plot 10 vitesh të kaluar jashtë dhe do të luajë pikërisht me skuadrën e tij të zemrës, në qytetin e lindjes. Për të marrë 32-vjeçarin besohet se Vllaznia fitoi duelin me dy klubet e kryeqytetit, Tiranën e Partizanit, që gjithashtu kërkonin shërbimet e tij.

Balaj ka luajtur 45 ndeshje për kuqezinjtë dhe ka shënuar 8 gola, ku nuk harrohet ai në fushën e Portugalisë, në fitoren e madhe 1-0 në eliminatoret e Europianit të 2016-ës ku Shqipëria arriti për herë të parë në fazën finale. Ai vazhdoi të ishte protagonist edhe më pas duke shënuar ndaj Maqedonisë, Bosnjës, Uellsit, Kosovës apo edhe në miqësoren e nëntorit të kaluar kundër Arabisë Saudite, ndërsa luajti në Turqi, Çeki, Poloni, Kroaci, Rusi dhe Austri. Balaj pra kthehet në Superligë pas 10 vitesh, ku e nisi me Vllazninë dhe e vazhdoi me Tiranën, duke fituar Kupën e Shqipërisë me të dy ekipet si dhe Superkupën me Tiranën, duke shënuar golin e vetëm në finalen në Korçë ndaj Skënderbeut.

Sfidanti.al